Skip Global Navigation to Main Content
Skip Breadcrumb Navigation
Tekst i Deklaratës se Sekretares se Shtetit Hillary Klinton per Trafikimin e Qenieve Njerezore

T'i Japim Fund Trafikimit të Qënieve Njerëzore

29 Tetor 2010

Nxënësit e shkollave fillore anembanë Shteteve të Bashkuara mësojnë në shkolla se skllavëria mori fund në shekullin e 19-të. Por, fatkeqësisht, tani rreth 150 vjet më vonë lufta për t’i dhënë fund këtij mallkimi global nuk ka mbaruar. Në ditët e sotme ajo ka marrë formë tjetër dhe ne i kemi vënë emër tjetër – “trafikim i qenieve njerëzore” – por është përsëri i njëjti poshtërim i dinjitetit njerëzor në Shtetet e Bashkuara dhe në gjithë botën.

Edhe pse shifrat variojnë gjerësisht, gjasat janë që rreth 12 deri në 27 milionë qenie njerëzore vuajnë në skllavëri në mbarë botën. Burra, gra e fëmijë janë zënë në çarkun e prostitucionit apo punës në fusha dhe fabrika nën mbikqyrës mizorë, të cilët i kërcënojnë ata me dhunë apo burgosje nëse përpiqen të arratisen. Në fillim të këtij viti u dënuan gjashtë “rekrutues” në ishujt Havai në rastin me numrin më të madh të trafikimit të qenieve njerëzore të shqyrtuar ndonjëherë në historinë e Shteteve te Bashkuara të Amerikës. Ata detyruan 400 punëtorë tailandezë të punonin në fermë duke iu konfiskuar pasaportat dhe duke i kërcënuar me dëbim në vendin e tyre.
 
E kam parë me sytë e mi vuajtjen që shkakton trafikimi i qenieve njerëzore. Ky trafikim nuk sjell vetëm lëndim e abuzim – ai i zhvesh viktimat nga fuqia për të kontrolluar fatin e jetës së tyre. Kam takuar në Tailandë vajza adoleshente të cilat ishin marrë prostituta që kur ishin fëmijë dhe që po humbnin jetën nga SIDA. Në Europën Lindore kam takuar nëna të cilat kanë humbur djemtë e vajzat në trafikim e që nuk kishin ku të drejtoheshin për ndihmë. Ky është dhunim i besimit tonë thelbësor se gjithë njerëzit kudo që janë meritojnë të jetojnë të lirë, të punojnë me dinjitet dhe të ndjekin ëndrrat e tyre.
 
Për dhjetëvjeçarë me radhë ky problem ka kaluar pa u vënë re. Por, si këtë javë para 10 vjetësh, Presidenti Klinton firmosi Aktin për Mbrojtjen e Viktimave të Trafikimit, akt i cili na dha më shumë mjete për të sjellë trafikuesit përpara drejtësisë dhe për t’iu dhënë viktimave shërbime ligjore dhe çfarëdo mbështjetjeje tjetër. Sot punonjësit e policisë, aktivistët dhe qeveritë bashkërendisin përpjekjet e tyre me më shumë efikasitet. Mijëra viktima janë liruar në gjithë botën dhe shumë të tjera qëndrojnë në Amerikë ligjërisht dhe me leje pune. Disa madje janë bërë qytetarë amerikanë e janë bërë pjesë e çështjes për parandalimin e shkatërrimit të jetëve të tjera nga trafikantët.
 
Kjo lëvizje moderne kundër trafikimit nuk është aktive vetëm në Shtetet e Bashkuara. Pothuajse 150 shtete kanë firmosur Protokollin e Trafikimit të Kombeve të Bashkuara për të mbrojtur viktimat e për të nxitur bashkëpunim mes vendeve. Më shumë se 116 shtete e kanë deklaruar trafikimin të paligjshëm, dhe numri i viktimave të identifikuara dhe trafikantëve të kapur po rritet çdo vit.
 
Megjithatë, kemi ende rrugë të gjatë për të bërë. Departamenti i Shteteve të Bashkuara nxjerr çdo vit një raport mbi trafikimin e qenieve njerëzore në 177 vende, përfshirë tani edhe vendin tonë. Raporti më i fundit vë në dukje se 19 shtete kanë kufizuar përpjekjet e tyre për luftën kundër trafikimit, dhe 13 shtete nuk përmbushin standardet mininale për eliminimin e trafikimit e nuk janë duke bërë asnjë përpjekje për përmirësim.
 
Ajo që ka rëndësi të veçantë është që qeveritë të mbrojnë më të prekurit – gratë dhe fëmijët – të cilët janë më të prirur të jenë viktima të trafikimit. Ata nuk janë thjesht synimi i trafikuesve për qëllime seksuale, por edhe i atyre që trafikojnë fuqi punëtore; dhe ata përbëjnë numrin më të madh të personave që përfundojnë në punë të detyruar: mbledhje pambuku, nxjerrje mineralesh të rralla nëntokësore, kërcime në klube nate. Numrat mund të vazhdojnë të rriten, pasi kriza globale ekonomike ka bërë që një numër më i madh grash të jenë të ekspozuara ndaj rekrutuesve.
 
Ne duhet të  ridyfishojmë përpjekjet tona për të luftuar skllavërinë moderne. Shpresoj që vendet që nuk kanë pranuar Protokollin e Trafikimit të OKB-së, ta bëjnë këtë shpejt. Shumë vende të tjera mund të bëjnë akoma më shumë për të forcuar ligjet e tyre kundër trafikimit. Të gjitha qeveritë mund të vënë në dispozicion më shumë burime për të gjetur viktimat e për të ndëshkuar trafikantët e qenieve njerëzore.

Edhe qytetarët mund të ndihmojnë duke mbështetur ligjet që ndalojnë gjithë format e shfrytëzimit e iu japin viktimave mbështetjen që iu nevojitet për t’u mëkëmbur. Ata gjithashtu mund të punojnë vullnetarisht në streha për këto viktima dhe të inkurajojnë kompanitë të shfarosin punën e detyruar në gjithë zinxhirin e tyre të furnizimit duke parë këtë faqe interneti: www.chainstorereaction.com
 
Problemi i trafikimit modern mund të jetë rrënjosur, por është i zgjidhshëm. Duke përdorur gjithë mjetet qe kemi në dispozicion për t’u bërë presion trafikantëve, mund ta vendosim veten në rrugën e shkatërrimit të skllavërisë moderne.

Hillary Rodham Clinton
Sekretare e Shtetit