Fjalimet
Përurimi i projektit të pompës së ujit
29 tetor 2009
Zonja dhe zotërinj, anëtarë të Ekipit përgatitor komunal, anëtarë të bashkësisë dhe mysafirë të nderuar:
Është kënaqësi e madhe për mua të marr pjesë në përurimin e kësaj pompe të ujit dhe të këtij sistemi të klorinimit për fshatin Mogillë. Ky është një hap i madh përpara për 1.600 njerëz që drejtpërdrejt do të përfitojnë nga disponueshmëria e ujit të pijshëm.
Ky është një hap i madh përpara drejt përmirësimit të cilësisë së jetës në fshatin tuaj, dhe ky përparim u mundësua përmes përpjekjeve dhe angazhimit të Ekipit përgatitor komunal për komunën e Kllokotit-Vërbovcit.
Realizimi i këtij projekti është vetëm fillimi i asaj që është e mundur me komunën tuaj të re. Kjo pompë dhe uji të cilin ajo do ta sigurojë është vetëm një shembull i shërbimeve publike që komuna e Kllokotit-Vërbovcit do t’ia sigurojë kësaj bashkësie.
Por, do të ketë edhe projekte të tjera -- anëtarët e Ekipit tuaj përgatitor komunal i kanë identifikuar projektet, dhe tashmë kanë filluar t’i zbatojnë projektet që bashkësisë tuaj do t’i sjellin përmirësime të tjera.
Kam folur edhe më parë për rëndësinë e arsimit për të ardhmen e rinisë së Kosovës, dhe më vonë gjatë ditës, do t’i vizitoj dy projekte të shkollave këtu në Mogillë dhe në fshatin Vërbovc. Dhe, javën e ardhshme, pajisje të teknologjisë informative do të instalohen në pesë shkolla në këtë komunë, të cilat do t’u ofrojnë nxënësve lokalë mundësi të mrekullueshme për të zhvilluar shkathtësi të rëndësishme për të ardhmen.
Qeveria e SHBA-së ka punuar me udhëheqësit e bashkësisë tuaj për t’i përmirësuar shërbimet e tjera themelore për ta përmirësuar jetën tuaj ditore. Instalimi i një transformatori elektrik në fshatin Gërnçar dhe themelimi i shërbimeve për mbledhjen e mbeturinave do të ndodhin gjatë dy javëve të ardhshme. Këto janë shërbime themelore që më së miri menaxhohen në nivel lokal.
Siç mund të shihni sot, me mbështetjen tuaj, komuna e re e Kllokotit-Vërbovcit do t’u ndihmojë ta bëni këtë fshat vend më të mirë për të jetuar.
Ju inkurajoj të angazhoheni në zgjedhjet e ardhshme; t’i merrni parasysh çështjet, t’i njihni kandidatët dhe të votoni. Mos rrini vetëm duarkryq dhe lejoni që gjërat të ndodhin, por luani rol aktiv në krijimin e të ardhmes që dëshironi për bashkësinë tuaj.
Fuqimisht besoj që demokracia, si qeverisja, mund të përjetohet më së miri në nivel lokal, ku njerëzit kanë rast t’i zgjedhin përfaqësuesit që do të punojnë për ta në bashkësitë e tyre. Ju inkurajoj të gjithëve ta shfrytëzoni këtë rast më 15 nëntor dhe të mos lejoni që të tjerët të bëjnë zgjedhje që kanë të bëjnë me ju. Zgjidhni vetë atë që është më e mira për ju dhe familjen tuaj.
Duhet të dini që, gjersa e bëni këtë hap të rëndësishëm përpara në zgjedhjet e 15 nëntorit për pushtet lokal, Qeveria e SHBA-së do të vazhdojë të ju mbështesë, të qëndrojë me ju për t’i përmirësuar bashkësitë tuaja dhe për ta forcuar vizionin e ndarë për të ardhmen tuaj këtu.
Para se të përfundoj, dëshiroj përsëri ta lavdëroj Ekipin përgatitor komunal për komunën e Kllokotit-Vërbovcit për ndërmarrjen e kësaj përpjekjeje.
Besojmë që komuna juaj e re përmes zbatimit të projekteve si ky, ka rast ta sjellë në jetë vizionin që e ndajmë për një të ardhme pozitive për të gjithë në Kosovë. Përfaqësimi i fortë lokal është thelbësor për suksesin përfundimtar në këtë përpjekje, dhe kjo fillon me pjesëmarrjen tuaj në zgjedhje.
Ju faleminderit.