Fjalimet
Përurimi i fushës së lojërave në Vërbovc-Kllokot
29 tetor 2009
Të dashur fëmijë, të nderuar arsimtarë, përfaqësues të komunës së Kllokotit, anëtarë të Ekipit përgatitor komunal, zonja dhe zotërinj:
Dëshiroj të ju falënderoj që më ftuat në këtë ngjarje, për ta festuar hapjen e kësaj fushe të saporinovuar të lojërave në shkollën tuaj. Sapo u ktheva nga Mogilla, ku vizitova një fushë të ngjashme të lojërave dhe pata kënaqësinë të bisedoja me drejtorin e shkollës dhe disa fqinj tuaj.
Më erdhi shumë mirë të shihja anëtarë të përkushtuar të bashkësisë që angazhoheshin në projekte lokale. Përmirësimi i cilësisë së jetës për fëmijët tanë është punë që shpërblehet, dhe qëllim fisnik për cilindo udhëheqës apo politikan të bashkësisë.
Më lejoni ta shpreh që në fillim vlerësimin tim për nismën dhe përkushtimin tuaj për të siguruar të ardhme më të mirë për fëmijët tuaj.
Mirëqenia e fëmijëve tanë varet nga të gjithë ne – arsimtarët, përfaqësuesit tuaj komunalë, bashkësia donatore, dhe, më e rëndësishmja, nga prindërit dhe anëtarët e familjeve. Duke punuar së bashku, ne mund të garantojmë të ardhme më të mirë për fëmijët tanë.
Dhe këtu para nesh gjenden njerëzit që mund ta ndihmojnë qeverinë tuaj komunale për të qenë më përgjegjëse ndaj nevojave të qytetarëve të vet. Vërbovci tani është pjesë e komunës së re të Kllokotit. Kjo i sjell përfaqësuesit komunalë më afër jush dhe fëmijëve tuaj.
Do të keni mundësi më të madhe për të ndikuar në prioritetet dhe punën e komunës tuaj të re. Do të jeni në gjendje të nxitni ndërrime pozitive në bashkësinë tuaj duke i zgjedhur udhëheqësit komunalë që do t’i zbatojnë ato.
Këto projekte janë vetëm fillimi për komunën e Kllokotit-Vërbovcit. Ekipi juaj përgatitor komunal tashmë i ka identifikuar projektet, dhe ka filluar t’i zbatojë projektet që do të sjellin përmirësime të tjera në bashkësinë tuaj.
Sot, herët në mëngjes, kisha kënaqësinë ta përuroja pompën e re të ujit në Mogillë; një sistem uji që do t’u sigurojë ujë të pijshëm 1.600 banorëve që jetojnë në atë bashkësi.
Pas disa ditësh, pajisje të teknologjisë informative do të instalohen në pesë shkolla në këtë komunë, duke përfshirë shkollën tuaj lokale këtu në Vërbovc, të cilat do t’u ofrojnë fëmijëve tuaj mundësi për të zhvilluar shkathtësi të rëndësishme për të ardhmen.
Qeveria e SHBA-së gjithashtu ka punuar me udhëheqësit e bashkësisë tuaj për t’i përmirësuar shërbimet komunale për ta përmirësuar standardin e jetesës për të gjithë anëtarët e bashkësisë. Instalimi i një transformatori elektrik në fshatin Gërnçar dhe shpërndarja e kontejnerëve për mbeturina do të ndodhin gjatë dy javëve të ardhshme, dhe më pas do të fillojë mbledhja e mbeturinave – këto janë shërbime themelore që më së miri menaxhohen në nivel lokal.
Është duke u bërë përparim i madh në tërë komunën, dhe standardi i jetesës do të vazhdojë të përmirësohet gjersa udhëheqësit tuaj komunalë të vazhdojnë t’i identifikojnë dhe zbatojnë këto projekte dhe shërbime për ju.
Para se të përfundoj, dëshiroj përsëri ta lavdëroj Ekipin përgatitor komunal për komunën e Kllokotit-Vërbovcit për ndërmarrjen e kësaj përpjekjeje. Puna juaj e zellshme na ka prurë deri këtu dhe e ka ndërtuar themelin për një komunë të fortë.
E ardhmja varet nga përpjekjet tuaja. Ju inkurajoj të gjithë juve që ta ushtroni të drejtën tuaj demokratike dhe të shkoni në qendra të votimit më 15 nëntor dhe të votoni. Ndihmoni në formimin e të ardhmes së komunës tuaj për ju dhe fëmijët tuaj.
Ju faleminderit.