Fjalimet
AMBASADORJA TINA S. KAIDANOW
FJALA ME RASTIN E CEREMONISË SË DONACIONIT TË QEVERISË SË SHBA-VE
NË SHTABIN E POLICISË CIVILE NDËRKOMBËTARE
28 MAJ, 2009, PRISHTINË
Ministre Kelmendi, ministër Pajaziti, zonja dhe zotërinj,
Ju faleminderit që na jeni bashkuar sot këtu. Është një ditë e mirë pasi që kam kënaqësinë e dhurimit të pajisjeve në vlerë prej më shumë se 430,000 dollarë të SHBA-ve Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës. Pajisjet – të cilat përfshijnë dy autoambulanca me pajisje komplete, trembëdhjetë vetura tjera, dhjetë komplete për gjurmë të gishtërinjve, gjashtë fotoaparate digjitale dhe pajisje të ndryshme zyre – do t’i ofrojnë ministrive tuaja resurse shtesë për të shërbyer dhe mbrojtur popullin e Kosovës dhe për të zbatuar sundimin e ligjit në mbarë vendin. Është privilegj imi që në emër të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara t’i bëj këtë dhuratë Kosovës.
Ky donacion, po ashtu, shënon një tranzicion të rëndësishëm në asistencën e SHBA-ve në fushën e sundimit të ligjit në Kosovë. Pjesa më e madhe e pajisjeve që dhurohen sot është përdorur më herët nga ana e policëve, prokurorëve, gjykatësve dhe ekspertëve tjerë të SHBA-ve që kanë punuar brenda komponentës së sundimit të ligjit të UNMIK-ut. Për nëntë vite, këta zyrtarë të SHBA-ve të policisë dhe drejtësisë punuan së bashku me kolegët e tyre ndërkombëtarë në UNMIK për të ndihmuar zhvillimin e kapaciteteve të institucioneve të Kosovës të sundimit të ligjit për të administruar drejtësinë dhe mbrojtur paqen në Kosovë.
Megjithatë, në dhjetor të vitit 2008, EULEX mori përgjegjësinë e monitorimit, mentorimit dhe këshillimit në fushën e sundimit të ligjit në Kosovë. Tetëdhjetë policë dhe dy prokurorë amerikanë punojnë tani për misionin e EULEX-it në Kosovë. Tranzicioni prej UNMIK-ut në EULEX paraqet një hap të rëndësishëm; ai tregon se Kosova e pavarur bart tani përgjegjësinë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve të saj. Njerëzit e dijnë se mund t’i besojnë institucioneve të Kosovës për të shërbyer dhe mbrojtur publikun. Në të njëjtën kohë, EULEX-i, më pjesëmarrje të Shteteve të Bashkuara, do të vazhdojë të ndihmojë Kosovën në zhvillmin e institucioneve të veta të sundimit të ligjit duke ndihmuar policinë, gjyqtarët dhe prokurorët të arrijnë standardet evropiane duke vazhduar punën mbi themelet të cilat u patën vënë me ndihmën e UNMIK-ut.
Ka shumë sfida dhe shumë punë para nesh. Kosova është një shtet i ri dhe në zhvillim dhe do të ketë nevojë si për ekspertizë ashtu edhe për pajisje për të ndihmuar në zbatimin e sundimin të ligjit. Qeveria e Shteteve të Bashkuara është e përkushtuar të ndihmojë Kosovën të arrijë objektivat e veta në forcimin e sundimit të ligjit. Përveç pajisjeve të cilat i shihni sot këtu, në vitin e ardhshëm – dhe gjithherë në koordinim me partnerët tanë evropianë – ne do t’i ofrojmë asistencë teknike Ministrisë së Punëve të Brendshme; do të punojmë të përmirësojmë shkathtësitë hetuese të Policisë së Kosovës në lëmenjtë e krimit financiar dhe të organizuar si dhe në trafikim me qenie njerëzore, dhe do të ofrojmë ekspertë që do të punojnë me Departamentin për Kufi dhe Migracion në Ministrinë e Punëve të Brendshme për të themeluar një sistem modern të imigrimit dhe azilit që përmbush standardet ndërkombëtare. Do të ofrojmë trajnime për prokurorët e Kosovës në tema specifike, dhe do të punojmë për të krijuar bashkëpunim më të mirë ndërmjet policisë dhe prokurorëve në hetimin dhe ndjekjen e krimeve komplekse.
Përkushtimi ynë ndaj Kosovës është i qëndrueshëm dhe i fortë. Ashtu siç e bëri të qartë nënpresidenti Biden gjatë vizitës së tij javën e kaluar, jemi të përkushtuar të ndihmojmë Kosovën të forcojë ato institucione që janë esenciale për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të të gjithë njerëzve në Kosovë. Zonja ministre, ministër Pajaziti, kam kënaqësinë t’ua dhuroj sot këto pajisje në përkrahje të institucioneve të sundimit të ligjit në Kosovë.